Të njohim speciet - Shqiponja e malit

Të njohim speciet - Shqiponja e malit

SHQIPONJA E MALITTë njohim speciet e zonave të mbrojtura të Parkut Kombëtar Llogara, Rezervës Natyrore të Menaxhuar Karaburun dhe Lagunes së Orikumit - Shqiponja e malit.

Shqiponja e malit* (_Aquila chrysaetos_)

Taksonomia e species:

_Mbretëria_: Animalia

_Ndarja_: Chordata

_Klasa_: Aves

_Rendi_: Accipitriformes

_Familja_: Accipitridae

_Gjinia_: Aquila

_Lloji_: _Aquila chrysaetos_

Karakteristikat e species*: Shqiponja e malit ka gjatësi të trupit nga 66 deri në 102 centimetra me një hapje krahësh 180 deri 234cm. Të rriturit e të dy gjinive kanë pendë të ngjashme dhe kryesisht janë kafe të errët, me ngjyrë të zbehur në pjesën e pendëve fluturuese dhe në bisht, dhe një ngjyrë të zbehtë, tipike të artë në pjesën e pasme të kurorës dhe zverkut që i jep species emrin e saj. Të rinjtë janë të ngjashëm me të rriturit, por kanë tendencë të jenë më të errët. Dy të tretat e gjatësisë së bishtit të tyre është e bardhë, duke përfunduar me një brez të gjerë dhe të zi. Të rinjtë kanë edhe njolla të bardha në pjesën e poshtme të krahut.

Folezimi: Folezojnë kryesisht në formacione shkëmbore. Janë përgjithësisht lloje monogame dhe  lëshojnë vezët gjatë periudhës Mars-Korrik.

Shpërndarja gjeografike: Është e përhapur në rajonin e Euroazi-së dhe Amerikës Veriore.

Habitati: Numri më i madh i shqiponjave të malit gjenden sot në rajone malore, si habitate të gjuetisë së tyre, në shkëmbinj në afërsi të zonave të hapura.

Dieta ushqimore*: Mbi 400 lloje të kurrizorëve janë regjistruar si pre e Shqiponjave të malit. Përzgjedhja e gjahut përcaktohet kryesisht nga disponueshmëria e specieve pre. Ata normalisht preferojnë prenë e egër, vendase, por mund të përshtaten lehtësisht edhe me kafshët shtëpiake dhe / ose ekzotike.Grupi më i rëndësishëm i presë janë gjitarët (brejtësit, lepuj, dhelpra, dhi e egër). Pas gjitarëve,shpendët përbëjnë dietën e tyre kryesore, në veçanti thëllëzat. Po ashtu si pre përdor breshkat, gjarprinjtë etj. Shqiponja e vret prenë e saj duke e lëshuar mbi shkëmbinj, nga lartësi të mëdha.

Jetëgjatësia*: Jeton deri në 30 vjet në gjendje të egër.

Statusi sipas IUCN: Në nivel global nuk është specie e kërcënuar, Në Shqipëri është një specie mjaft e kërcënuar. Në rajonin e Vlorës janë regjistruar 2 çifte.

Kërcënimet**: Gjuetia (balsamim, për ti mbajtur të robëruara); Helmimi I paligjshëm; Shqetësimi nga aktivitetet njerëzore; Vjedhja e vezëve

Për të siguruar një mbrojtje më efikase të këtij lloji si dhe nxitjes për “citizen science”, në rastet e vëzhgimit të saj në natyrë përgjatë ndjekjes së shtigjeve në Parkun Kombëtar të Llogara-së, ju lutem të kontaktoni në faqet e mëposhtme duke e shoqëruar me foton reale, kordinatat e vendit ku u vu re dhe emrin tuaj.

Facebook: INCA Albania

Administrata Rajonale e Zonave te Mbrojtura Vlore

Llogora Visitor Center