Takim me aktorët për masat mbrojtëse të specieve endemike

Takim me aktorët për masat mbrojtëse të specieve endemike

Takim me aktorët për masat mbrojtëse të specieve endemike dhe rishikimit të planit të menaxhimit të zonave të mbrojtura në Gjirin e Vlorës

Parku Kombëtar i Llogarasë është një zonë e cila mund të vlerësohet si zona më e pasur me specie endemike për të cilat në krenohemi. Kjo vlerë vjen nisur dhe nga vetë emërtimet që këto specie kane (si albanica apo lugorensis apo himariense). Por më mirë se i njohin vetë vendasit, askush nuk mund të thotë apo të japë informacion për vendndodhjen apo shpërndarjen e tyre në zonë.

Për të ndërgjegjësuar më shumë komunitetin e zonës për njohjen e specieve Chondrula lugorensis, Hypericum haplophylloides dhe Sesleria albanica, që projekti “Nga mali në det” ka si objekt studimit dhe për t’i ardhur në ndihmë dhe stafit të AdZM për të shtuar informacionin rreth zonave ku ato gjenden dhe të gjendjes ekologjike të tyre, u organizua takimi me aktorët lokalë pranë Qendrës së Vizitorëve në Parkun e Llogarasë.

Aktorët u njohën me karakteristikat e specieve dhe me ecurinë e monitorimit të tyre në zonën e parkut duke e shoqëruar këtë prezantim dhe informacionin biologjik për to dhe për statusin që këto specie kanë jo vetëm si specie endemike të zonës por dhe si specie që janë futur në listën e IUCN për t’u bërë pjesë e inventarit botëror të specieve.

Të gjithë pjesëmarrësit treguan eksperiencat e tyre ku i kishin parë këto specie dhe treguan interes për tu bërë pjesë e grupit të vëzhgimit të tyre në vazhdimësi, jo vetëm gjatë kohës së zbatimit të projektit por dhe më tej.

Me aktorët e pranishëm në takim u diskutuan dhe çështje të rishikimit të planit të menaxhimit të parkut duke u fokusuar në mundësitë e përdorimit të shërbimeve të ekosistemeve brenda parkut por dhe në mënyrën e veprimit për të mbrojtur speciet dhe habitatet e tyre sipas planit të veprimit që AdZM-ja është duke e rishikuar.

Nga takimi u arrit të vendosen kontakte midis grupeve të interesit për të arritur një menaxhim me pjesëmarrje të gjerë të komunitetit lokal dhe jo vetëm.